KOMUNIKATË PËR MEDIE

Pas shkrimit në portalin Blic dhe në disa portale të tjera në Kosovë, me titullin “Abelard Tahiri nuk ndalet: Po provon që për nevoja “emergjente” t`i emëroj 33 noterë të rinj, në mënyrë selektive”, Unë Aliriza Beshi Kryetari i Odës së Noterëve të Republikës së Kosovës, jap këtë komunikatë për medie.

Oda e Noterëve të Kosovës dhe Unë si Kryetar me këtë rast edhe njëherë sikurse në reagimet e mëparshme që tashmë janë publike, ashtu sikurse edhe në deklarimin tim i përmbajtur në vet shkrimin e lartcekur të këtij portali, them se Oda e Noterëve ishte pajtuar dhe pajtohet në tërësi me qëndrimet e BE-së, Ambasadës Gjermane, Shoqërisë Civile, etj. të shprehura edhe në takimin e përbashkët të datës 06.11.2019, me Ministrin e Drejtësisë, nga doli mendimi që emërimi i noterëve të rinj të mbetet në kompetencë të ministrit të ardhshëm, për shkak të legjitimitetit të këtij vendimi.

Andaj, Oda e Noterëve e as Unë nuk kemi asnjë informacion e as çfarëdo marrëveshje apo “dakordancë” me Ministrin Tahiri, siç shkruan ky portal në shkrimin e tij se Ministri i Drejtësisë z. Abelard Tahiri, përkundër kundërshtimit të BE-së nuk dëshiron të ndalet në emërimin e një numri të caktuar noterësh. Kjo “dakordancë” e Ministrit Tahiri me Odën e Noterëve apo me Noter të caktuar sipas ligjit në fuqi as që kërkohet nga këto subjekte sepse emërimi i noterëve është kompetencë dhe përgjegjësi ligjore vetëm e Ministrit të Drejtësisë dhe nuk kërkohet asnjë pëlqim aq më pak të ketë ndikim nga Oda në marrjen apo mosmarrjen e një vendimi të tillë.