Mbahet Konferenca me temë “5 Vite të sistemit Noterial në Kosovë, sfidat arritjet dhe objektivat e ONK-së”

Prishtinë 27 Maj 2017 – Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës me rastin e 5 Vjetorit, organizoi Konferencën me temë “ 5 Vite të Sistemit Noterial, në Kosovë, sfidat arritjet dhe objektivat e ONK-së”.
Ftesës për pjesëmarrje padyshim se ju përgjigjën shumë oda mike nga rajoni dhe më gjerë, përfshirë edhe personalitete të larta nga vendi dhe bota, si Ministrja e Drejtësisë së Republikës së Kosovës Znj. Dhurata Hoxha, Presidenti i Unionit Ndërkombëtarë të Noterisë Z. José Marqueño de Llano, Zëvendës Presidenti i CCNI-së Z. Alvaro Lucini etj.
Poashtu, këtë konferencë me prezencën e tyre e nderuar edhe përfaqësuesit e Odave të Noterëve nga Franca, Zvicra, Gjermania, Hungaria, Turqia, Stambolli, Antalya, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi.
Konferenca u hap nga Kryetarja e Odës së Noterëve Znj. Arbena Shehu, e cila në fjalën e saj foli për arritjet sfidat dhe objektivat e Odës së Noterëve.
Ministrja Hoxha, në fjalën e saj para të pranishmeve, theksoi se është kënaqësi e veçantë që po shënojmë 5 vjetorin e Shërbimit Noterial të Kosovës. “Para 5 vitesh u krijua shërbimi noterial në Kosovë, i cili plotësoi një hapësirë të madhe në sistemin e drejtësisë që fillimisht u ofroi qytetarëve qasje më të shpejtë në shërbimet e caktuara, si dhe më e rëndësishmja, ndihmoi në shkarkimin e gjykatave nga numri i madh i lëndëve”, theksoi Ministrja Hoxha.
Falë praktikave të mira, Noteria në Kosovë, ka arritur të shndërrohet në njërën nga shërbimet dhe profesionet me të respektuara në vend. Gjatë kësaj periudhe, shërbimi i noterisë, përveç punës së shkëlqyeshme që ka bërë, ka shënuar edhe suksese në sferën ndërkombëtare, me ç‘rast do të veçoja anëtarësimin e Odës së Noterëve të Kosovës në Unionin Ndërkombëtar të Noterisë me të drejta të plota, i cili padyshim se paraqet sukses jo vetëm për shërbimin noterial por për gjithë sistemin e drejtësisë në Kosovë”, tha Ministrja Hoxha.

Në fjalën e tij Z. José Marqueño de Llano theksoi se për mua është një kënaqësi që me ftesë të Kryetares së Odës së Noterëve, së bashku me ju po marr pjesë në festimin e përvjetorit të pestë të funksionimit të sistemit noterial në Republikën e Kosovës. Për Z. De Llano, kjo ngjarje është padyshim ngjarja më e rëndësishme e Noterisë së Kosovës, e cila përveç se bashkon të gjithë kolegët, gjithashtu paraqet një thirrje për të riafirmuar rolin e rëndësishëm të Noterëve të tipit latin, kur ata llogarisin në edukimin e kërkuar, besimin e publik dhe në të gjitha mjetet teknike dhe ligjore për të kryer detyrat e tyre të rëndësishme në shërbim të qytetarëve dhe shtetit. Në fund Z. De Llano falënderoi Z. Michel Merlotti dhe Z. Roland Niklaus për kontributin e tyre disa vjeçar në krijimin dhe avancimin e sistemit noterial në Kosovë.

Fjalimi i Kryetares Shehu:
• E nderuara Ministre Hoxha,
• I nderuari President i Unionit Ndërkombëtar të Noterisë Z. José Marqueño de Llano, I nderuari Zëvendës-President Z. Alvaro Lucini;
• Të nderuar Noter dhe përfaqësues të Odave nga shtetet mike si Gjermania, Zvicra, Franca, Hungaria, Turqia, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, që po na shoqëroni ta shënojmë këtë përvjetor të noterisë,
• Të nderuar Z. Merlotti dhe Z. Niklaus, përfaqësues të Institutit Ndërkombëtarë të Noterisë,
• Të nderuar përfaqësues nga GIZ,
• I nderuari Dekan Gashi, i nderuari profesor Aliu, Avokat, Përmbarues,
• Të nderuar koleg Noter, të nderuar Mysafir,
• Zonja dhe zotërinj.

Jam e lumtur që sot jam këtu së bashku me ju në shënimin e 5 Vjetorit të fillimit të sistemit Noterial në Republikën e Kosovës. Pas pesë viteve pune dhe rrugëtimi të përbashkët, sot po festojmë të arriturat tona, sfidat që na rrethuan dhe i tejkaluam, sigurinë juridike të cilën e ofruam si dhe besimin të cilin me punën tonë e fituam.

Fillimi i Noterisë nuk ishte çelësi i artë për të zgjidhur problemet e drejtësisë, marrë në konsideratë kompleksitetin dhe vështirësinë e një reformimi të tillë juridik. Funksionalizimi i shërbimi noterial në Kosovë ishte mjaft sfidues, u kërkua punë, përpjekje dhe bashkëpunim vendor dhe ndërkombëtar, në drejtim të përforcimit të marrëdhënieve profesionale për të siguruar një shërbim noterial cilësor dhe efikas.

Shërbimi noterial pati rëndësi historike nё reformimin e sistemin juridik të Republikës së Kosovës. Zbatimi i Ligjit mbi Noterinë dhe ligjet e tjera të aplikueshme kërkonte prej noterëve arritjen e qëllimeve të kësaj reforme, duke kërkuar shkallë të lartë të sigurisë juridike në lëmin e qarkullimit të paluajtshmërive, shkarkim tё punës nё gjykata, dhe nё organe administrative, kryerje të shpejtë tё punëve dhe me efikasitet, mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve dhe personave juridik, si dhe rritjen e besueshmёrisё në regjistrat publik të paluajtshmërive, qëllime këto të cilat gjatë rrugëtimit tonë nuk kanë qenë lehtë të realizueshme deri me sot.

Pas njё pune pesë vjeçare, noterët në Republikën e Kosovës me përkushtimin dhe punën e tyre profesionale dukshëm kontribuar në forcimin e kësaj reforme, duke u shndërruar nё njё faktor kyç pёr efikasitetin e sektorit tё gjyqësorit, mbrojtjen e tё drejtave tё qytetarëve, përforcimin e luftës kundër pastrimit tё parave dhe krimit ekonomik, zhvillimin më tё mirë ekonomik tё vendit, ku përmes instrumenteve autentike, arritën tё jenë faktor kontribuues nё forcimin e sundimit tё ligjit nё shtetin tonë.
Por, funksionimi i shërbimit noterial nuk mund të bëhej pa bashkëpunëtorë të shkëlqyer si ata që i kemi sot këtu prezent. Besimi të cilin ne sot e gëzojmë është krijuar falë punës dhe bashkëpunimit shumë të mirë me faktorët vendor e ndërkombëtar, posaçërisht me Ministrinë e Drejtësisë, angazhimin e vazhdueshëm të Ministren Hoxha, me punën e palodhshme në atë kohë të ish Ministrit Kuçi, punën e dy zotërinjtë shumë të nderuar, Z. Merlotti dhe Z. Niklaus, mbështetjes dhe përkrahjes nga Unionit Ndërkombëtarë i Noterisë, në atë kohë nga Z. JEAN PAUL DECORPS dhe tani nga Presidenti JOSE DE LLANO, dhe të gjithë ju të nderuar miq që na ndihmuat për ta shënuar sot këtë ditë. Prezenca e juaj në festimin e këtij përvjetori nënkupton shumë për ne, sot ju po e nderoni dhe vlerësoni punën, angazhimin dhe suksesin e çdo noteri në Republikën e Kosovës, angazhimin e Odës së Noterëve dhe funksionimin e sistemit noterial si shtyllë e rëndësishme e sistemit tё drejtёsisё në vendi tonë.

Ishte 14 Prilli i vitit 2012 ku për herë të parë Kuvendi i Odës së Noterëve, zgjodhi organet e para të Odës së Noterëve, anëtarët e të cilave komisione në rrugëtimin e tyre së bashku edhe me përfaqësuesit e IHN-së në Kosovë, bartnin mbi supet e veta një përgjegjësi të madhe për fillimin dhe të ardhmen e autoritetit të noterit, për vetëdijesimin e një shoqërie rreth një profesioni dhe autoriteti të panjohur deri atëherë, ruajtjen dhe forcimin e një besimi të dhënë, unifikimin e punës së vetë noterëve, krijimin e kontakteve vendore dhe ndërkombëtare e deri tek anëtarësimet e ndryshme përfshirë edhe atë në Unionin Ndërkombëtarë të Noterisë.

Ishte 25 Maji i vitit 2012, dita e parë kur Noterët e Republikës së Kosovës filluan punën e tyre, ishte kjo datë kur u vërtetuan aktet e para noteriale, ishte kjo datë kur filloi puna për zgjidhjen e të gjitha nyjeve dhe dilemave rreth egzistencёs dhe tё ardhmes sё shërbimit noterial në Republikën e Kosovës. Bashkëpunimi i shkëlqyer me të gjitha Odat e Noterive Ballkanike, Evropiane e më gjerë ishte çelësi i sukseseve të Odës së Noterëve, ku me ndihën e GIZ-it Gjerman, me mbështetjen e parezervë të tyre, Oda e Noterëve arriti t’i krijoj kontaktet dhe përfaqësimet e para në nivel të lartë me noteritë ballkanike e më gjerë.

Me ndihmën dhe përkrahjen e miqve, Noterët, me një vizion të qartë, me vullnetin, angazhimin, punën dhe përkushtimin e tyre arritën që për një kohë shumë të shkurtë të shndërrohen nё njё faktor kyç në ofrimin e shërbimeve cilësore, efektive dhe të shpejta. Ata ndihmuan në vetëdijesimin e çdo qytetari, çdo biznesi dhe çdo Institucioni të Republikës së Kosovës se Kush është noteri, Cili është roli detyrat dhe përgjegjësitë e tij në punë, dhe sot lirisht mund të themi se çdo qytetar, secili biznes apo Institucion e din se Noteri është një Zyrtar Publik – I besuar i Shtetit i emëruar nga Ministri i Drejtësisë, dhe fakti që një akt është hartuar nga një Noter është një garanci e origjinalitetit dhe e ligjshmërisë së tij.

Oda e Noterëve gjatë këtyre viteve luajti rol vendimtar nё promovimin e shërbimit noterial nё sferën vendore dhe ndёrkombёtare. Anëtarësimi i Odës së Noterëve nё Unionin Ndёrkombёtar tё Noterisë vetëm pas një viti të funksionalizimit të saj, tregon përkushtimin e Odës të Noterëve ndaj këtij shërbimi dhe konsiderohet e arritur e rëndësisë së veçantë anëtarësimi i ONK-se në një organizatë ndërkombëtare. Ishte data 09 Tetor 2013, kur në Kongresin e 27 të noterisë Botërore, të mbajtur në Lima të Perusë, Flamuri i Republikës së Kosovës iu bashkua një familje e cila deri atëherë numëronte 83 flamuj të tjerë, për tu renditur si shteti i 84 anëtar i këtij Unioni, dhe për këtë arritje të Odës së Noterëve pa dyshim kanë kontribuar përfaqësuesit e nderuar të IHN-së në Kosovë.

Gjatë këtyre viteve Oda e Noterëve ka luajtur rol vendimtar nё promovimin e shërbimit noterial nё sferën vendore dhe ndёrkombёtare, ku përmes pёrfaqёsuesve tё saj tё zgjedhur po vazhdon të jep kontributin e vet nё zhvillimet më të avancuara noteriale nё Evropë dhe Botë. Sot, Oda e Noterëve pas 5 vite të funksionimit, numëron gjithsej 74 zyre noteriale dhe me mbi 200 të punësuar dhe me qendra mija akte të kryera brenda një viti kalendarik në këto zyra, duke shpresuar që numri i tyre të rritet vazhdimisht, ashtu që të kemi një shtrirje të plotë me zyra noteriale në tërë territorin e republikës.

Oda e Noterëve po vazhdon të bashkëpunimin me partnerët e saj vendor e ndërkombëtarë, posaçërisht me Ministrinë e Drejtësisë, ku me ndihmën e tyre do t’i finalizoj aktivitetet të cilat janë në proces e të cilat konsiderohen jetike për shërbimin noterial. Në këtë drejtim, korniza ligjore, sigurimi i qasjes në regjistrat e tokës, mbikëqyrja e punës së zyrave noteriale, vazhdimi i kampanjave për vetëdijesimin e qytetarëve, promovimi i punës kërkimore, forcimi i bashkëpunimit me të gjitha institucionet vendore, përfshirë të gjitha profesionet e lira ligjore, vazhdimi i bashkëpunimit me projektet mbështetëse etj. do të jenë vetëm disa nga detyrat dhe sfidat me të cilat do të ballafaqohemi në të ardhmen por së bashku dhe me ndihmën e partnerëve tanë do ja arrijmë qëllimit. Në sferën Ndërkombëtare, Oda e Noterëve do të vazhdoj të përfaqësohet në komisionet e UINL-së, posaçërisht në Komisionin për Çështje Evropiane, si dhe Këshillim e Përgjithshëm në kuadër të UINL-së, por edhe në takime tjera të cilat konsiderohen e interes për ne.

Sot, flet puna jonë, flasin rezultatet tona qe i kemi arritur se bashku, sot flet prezenca e miqve tanë si garantues për të ardhmen e këtij profesioni.

Të nderuar të pranishëm,
Kam nderin dhe ndihem e privilegjuar që për këto 5 vite si Kryetare e Odës së Noterëve pata rastin që të punoj më secilin nga ju, andaj sot falënderoj secilin kolegë noter të pranishëm në këtë sallë për punën e palodhshme, kontributin, korrektësinë në punë, syqeltërsinë, bashkëpunimin ndërkolegial – metodat që përdorëm për ta mbrojt njeri tjetrin, kontributin e dhënë nga secili në formën e vetë për ta ngritur imazhin e Noterisë dhe vënien e themeleve të shëndosha të sistemit të Noterisë në Kosovë.

Ju faleminderit.