Mbahet Kuvendi Zgjedhor i Odës së Noterëve të Republikës së Kosovës

Prishtinë, 14.04.2018 – Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës mbajti Kuvendin Zgjedhor, nga punimet e të cilit u zgjodhën anëtarët e rinj të Komisionit të Odës.

Paraprakisht, Kuvendi i Odës diskutoi dhe vlerësoi punën e deritanishme të Komisionit të Odës dhe të Kryetares znj. Arbena Shehu, ku pas diskutimeve, anëtarët e Kuvendit me shumicë votash edhe aprovuan raportin e punës ku konstatuan se Oda e Noterëve nën udhëheqjen e znj. Shehu në të dy mandatet e kaluara ka qenë shumë e sukseshme dhe pozitive, periudhë kjo kur edhe u vunë themelet e shërbimit noterial në Kosovë.

Poashtu, u vlerësua edhe përfaqësimi i saj si kryetare e parë e Odës së Noterëve në organizimet dhe konferencat vendore e ndërkombëtare e posaçërisht në Komisionin për Çështje Europiane dhe në Këshillin e Përgjithshëm në kuadër të UINL-së, ku është anëtare.

Pas dy mandateve të kaluara me shumë sukses të znj. Shehu në udhëheqje të ONK-së, Kuvendi i Odës e zgjodhi Komisionin në përbërje të re, ku z. Aliriza Beshi u zgjodh Kryetar i Odës së Noterëve, z. Fatmir Halimi Nënkryetar, ndërsa znj. Sevdije Krasniqi, z. Selatin Shahini dhe z. Xhevat Veseli anëtarë të Komisionit.

Kryetarja Shehu uroi zgjedhjen e kryesisë së re dhe dorëzoi detyrën e saj komisionit të ri të Odës duke u dëshiruar suksese të mëtutjeshme në punë, ku e njëjta siç deklaroi edhe më tej do të vazhdojë ta ndihmojë Odën në realizinin e detyrave të përbashkëta.

Kuvendi zgjedhor do ti vazhdoj punimet me datë 21.04.2018.