Mbahet takimi i Kuvendit vjetor të ONK-së

Prishtinë 25 Janar 2020 – Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës mbajti takimin e Kuvendit Vjetor, i cili u hap dhe u drejtua nga Kryetari i Odës së Noterëve z. Aliriza Beshi. Pika e parë e rendit të ditës, e cila u paraqit për diskutim dhe aprovim ishte Raporti Vjetor i Odës së Noterëve për vitin 2019, i cili raport u aprovua njëzëri nga të gjithë të pranishmit.

Gjithashtu, si pika tjera të rendit të ditës ishin edhe njoftim i noterëve me Aktvendimin e lëshuar për regjistrimin e pronës së ONK-së në kadastër, ndërsa Kuvendi e caktoi edhe komisionin për procedurat e mëtejme për ndërtimin e selisë së ONK-së. Poashtu, noterët u njoftuan rreth vulave të thata, datën kur pritet përfundimi i tyre, si dhe u njoftuan rreth falënderimit nga Shqipëria për ndihmën e Odës së Noterëve me rastin e tërmetit.

Pjesa e dytë e ditës ishte ndarë për trajnimin kushtuar Udhëzimeve Administrative, posaçërisht interesim të theksuar pati rreth Udhëzimit për Organizimin dhe mënyrën e punës së noterëve dhe vulat noteriale Nr. 10/2019 dhe Udhëzimit Administrativ për Formën dhe mënyrën e përpilimit dhe shënimit të dokumenteve noteriale Nr. 11/2019. Diskutimi kryesor u përqendrua tek lidhja e akteve noteriale si dhe lëshimi i ekstrakteve dhe fotokopjeve nga origjinali.

Takimi i Kuvendit të Odës u mbajt në “Hotel Emerald” në Prishtinë dhe ftesës iu përgjigjën pothuajse të gjithë Noterët të Republikës së Kosovës.