Mbahet takimi i parë lidhur me inicimin e projektit regjional me temë: “Përmirësimi i menaxhimit të lëndëve përmes futjes moderne të informacionit dhe teknologjitë e komunikimit”

Sarajevë: 06 – 07 Prill 2017.

GIZ Open Regional Fund–legal reform (ORF-LR) dhe Oda e Noterëve të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, nën përkrahje edhe të Odës së Noterëve të Federatës Gjermane kanë iniciuar projektin regjional të emëruar:“Përmirësimi i menaxhimit të lëndëve përmes futjes moderne të informacionit dhe teknologjitë e komunikimit”, të bindur se përmes një qasje uniforme mund të arrihet zgjidhja më e mirë për digjitalizimin e noterive për të gjitha vendet e rajonit, duke e përmirësuar performancën dhe reputacionin e profesionit të Noterit.

Odën e Noterëve në këtë takim e përfaqësoi Z. Aliriza Beshi, Nënkryetar i Odës së Noterëve dhe Z. Erdon Gjinolli, Udhëheqës i Shërbimit Administrativ. Gjithashtu, të pranishëm në këtë punëtori ishin edhe përfaqësues nga Dhoma Kombëtare e Notariatit Shqiptar, Oda e Noterëve të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë.

Takimi dy ditor u drejtua nga Prof. Enes Bikiq dhe Z. Kristopher Will, Menaxher në Sektorin e Fondeve në GIZ, ndërsa temë diskutimi ishte gjendja ekzistuese e odave rajonale sa i përket digjitalizimit, ku u konstatua se Dhoma Kombëtare e Notariatit Shqiptar dhe Oda e Noterëve të Maqedonisë janë më të avancuara në fushën e digjitalizimit në rajon.

Në përfundim të kësaj punëtorie u formua grupi punues në përbërje prej Prof. Enes Bikiq, Z. Sefedin Suljevic dhe Z. Kristopher Will, përgjegjës për draftimin e Strategjisë fillestare të këtij projekti edhe atë brenda 15 ditëve nga përfundimi i punëtorisë, ndërsa nga odat pjesëmarrëse u kërkua që brenda 30 ditëve t’i dërgojnë raportet rreth legjislacionit aktual të secilit vend sa i përket qasjeve elektronike dhe digjitalizimit.