Mbahet takimi Kosovaro-Gjerman, në Berlin të Gjermanisë

Prishtinë, 21.11.2017 – Oda Federale e Noterëve të Gjermanisë e përfaqësuar nga Z. Richard Bock, Nënkryetar i kësaj Ode, i shoqëruar edhe nga Dr. Lovro Tomasic, Noter, ka ftuar një delegacion nga Kosova, konkretisht, Odën e Noterëve, Komisionin për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë që të marrin pjesë në takimin e përbashkët Kosovaro-Gjerman, në Berlin të Gjermanisë.

Delegacioni Kosovarë i përbërë nga Z. Aliriza Beshi, Nënkryetar i ONK-së, Z. Shpend Haskaj, anëtar i Komisionit të ONK-së, Z. Hajdar Beqa, Zëvendëskryetar i parë i Komisionit për Legjislacion, Z. Visar Krasniqi, Kordinator i Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe Z. Elbasan Dervishaj, Udhëheqës i Departamentit për Profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë, takimet në fjalë i zhvilloi me datë 20 dhe 21 Nëntor 2017, ku temë diskutimi ishte Projektligji i Noterisë, i cili momentalisht gjendet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim përfundimtar.

Për të pranishmit Oda Federale e Noterëve të Gjermanisë kishte përgatitur edhe dy prezantime, edhe atë Z. Richard Bock, prezantoi “Ligjin Civil Gjerman” si dhe Dr. Lovro Tomasic prezantoi “Funksionet dhe Statusi i Noterit në Kosovë, bazuar në Projektligjin e Noterisë”.

Poashtu pjesë e kësaj punëtorie ishin edhe komentet e Odës së Noterëve të dërguara në Kuvendin e Republikës së Kosovës rreth Projektligjit të Noterisë si dhe letra e dërguar nga Z. José Marqueño de Llano, President i UINL-së dhe Z. José Manuel García Collantes, President i CNUE-së.