Mbahet trajnimi për punëtor të zyrave noteriale

Prishtinë, 17.03.2018 – Komisioni për Aftësim Profesional në kuadër të Odës së Noterëve, në bashkëpunim me Projektin e financuar nga BE “Mbështetje Profesioneve të Lira Ligjore (PLL) dhe Odës së Avokatëve (OAK)”, organizuan Trajnimin e parë për vitin 2018, për punëtor të zyrave noteriale.

Hapjen e trajnimin e bëri znj. Pepa Laleva, Udhëheqëse e Ekipit të Projektit “Mbështetje e Profesioneve të Lira Ligjore (PLL) dhe Odës së Avokatëve (OAK)”, e cila i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe falënderoi Odën e Noterëve për bashkëpunimin në përgjithësi dhe rreth organizimit e këtij trajnimi.

Në pjesën e parë të trajnimit znj.Vizhdane Kuçi, Notere në Prishtinë, njëherit anëtare e Komisionit të ONK-së dhe Trajnuese e licencuar, ligjëroi Temën “Praktika noteriale dhe etika noteriale”.

Ndërsa, në pjesën e dytë znj. Luljeta Plakolli-Kasumi, zv. Udhëheqëse e Ekipit të Projektit “Mbështetje e Profesioneve të Lira Ligjore (PLL) dhe Odës së Avokatëve (OAK)“, ligjëroi Temën “E drejta Tregtare në Kosovë, pjesa statusore dhe kontraktuale”. Në pjesën statusore znj. Plakolli-Kasumi ligjëroi: kornizën ligjore, format e shoqërive tregtare, themelimin, qeverisjen dhe menaxhimin e tyre, shpërbërjen, likuidimin, bashkimin dhe ndarjen si dhe transaksionet e tjera. Ndërsa në pjesën kontraktuale, ajo ligjëroi aspektet ligjore dhe praktike, Kontratat komerciale (baza ligjore, përkufizimi, hartimi i tyre) dhe rolin e noterëve në hartimin e kontratave komerciale. Trajnimi ishte i karakterit interaktiv dhe pati pyetje të shumta për temat e shtjelluara.

Trajnimit iu përgjigjën mbi 120 bashkëpunëtor të zyrave noteriale, ai u mbajt në Amfiteatrin e madh, në objektin e Qeverisë së Kosovës.