Oda e Noterëve në bashkëpunim me Projektin e financuar nga BE “Mbështetje Profesioneve të Lira Ligjore dhe Odës së Avokatëve”, mbajtën trajnimin e radhës për Noterët e Republikës së Kosovës

Prishtinë, 29 Shkurt 2020 – Oda e Noterëve në bashkëpunim me Projektin e financuar nga BE “Mbështetje Profesioneve të Lira Ligjore dhe Odës së Avokatëve”, mbajtën trajnimin e radhës për Noterët e Republikës së Kosovës me temë “Organizimi dhe mënyra e punës së noterëve dhe vulave noteriale; forma dhe mënyra e përpilimit dhe shënimit të dokumenteve noteriale”.

Hapjen e këtij trajnimi e bëri z. Aliriza Beshi, Kryetar i Odës së Noterëve të Kosovës, dhe me një fjalë rasti të pranishmëve i`u drejtua edhe znj. Pepa Laleva, Udhëheqëse e Projektit të financuar nga BE-ja “Mbështetje Profesioneve të Lira Ligjore dhe Odës së Avokatëve”.

Në këtë trajnim ligjërues ishin z. Aliriza Beshi, Kryetar i Odës së Noterëve në Kosovë, z. Naxhi Zeqiri, Nënkryetar i Odës së Noterëve të Maqedonisë së Veriut dhe ELASH i Projektit të financuar nga BE-ja “Mbështetje Profesioneve të Lira Ligjore dhe Odës së Avokatëve; z. Shpend Haskaj, Kryesues i Komisionit për Aftësim Profesional të Noterëve në ONK; dhe z. Elton Tota, Profesor dhe EASH i Projektit të financuar nga BE-ja “Mbështetje Profesioneve të Lira Ligjore dhe Odës së Avokatëve.

Në pjesën e parë të ditës u ligjërua për “Organizimin dhe mënyrën e punës së Noterëve dhe vulave Noteriale, në përputhje me udhëzimet e reja administrative të MD-së – Nr. 10/2019 dhe legjislacionin tjetër përkatës”; “Forma dhe mënyra e përpilimit dhe shënimit të dokumenteve Noteriale, në përputhje me udhëzimet e reja administrative të MD-së – Nr. 11/2019 dhe legjislacionin tjetër përkatës”, ndërsa në pjesën e dytë të ditës u demonstrua lidhja e akteve noteriale me shirit të sigurisë dhe vulë të thatë sipas udhëzimit administrativ, e që kjo do të aplikohet nga të gjitha zyrat noteriale në Kosovë, nga data 02.03.2020.

Trajnimi ishte i karakterit interaktiv dhe të pranishëm ishin pothuajse të gjithë noterët e Republikës së Kosovës.