ONK dhe ARC nënshkruajnë memorandumin e bashkëpunimit

Prishtinë, 7 Mars 2017.
Oda e Noterëve të Kosovës dhe Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme nënshkruan marrëveshje për krijimin e qasjes në të dhënat nga Regjistri Civil dhe Regjistri i Automjeteve. Kjo marrëveshje përcakton kushtet në të cilat ARC iu ofron zyrave noteriale në kuadër të ONK-së.
Në bazë të kësaj marrëveshje mundësohet qasja në bazën e të dhënave, marrja e informacioneve nga Baza e Ndërmjetme e ARC-së, Regjistri i Automjeteve me qëllim të verifikimit apo vërtetimit të identitetit dhe gjendjes civile, palëve të interesuara për marrjen e këtyre shërbimeve, si dhe verifikimin e këmbimit të të dhënave për automjetet të cilat janë objekt i shitblerjes.
ARC dhe ONK do të krijojnë Procedura Standarde të Operimit për këmbimin e shënimeve përmes të cilave do të definohet lloji i të dhënave dhe do të shkëmbehen në nivelin teknik të këmbimit të informatave. Të dhënat e lexuara nga Zyrat Noteriale duhet të përdoren në pajtim të kësaj marrëveshjeje dhe duhet të trajtohen në pajtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Në fjalimin e saj përshëndetës, Znj. Arbena Shehu, Kryetare e ONK-së, tha se me rastin e nënshkrimit të këtij Memorandum Bashkëpunimi, marrëdhëniet mes dy institucioneve tona po hyjnë në një fazë të re, ku produkti pozitiv i këtij bashkëpunimi, do të jetë real, dhe i prekshëm si për ne ashtu edhe për të gjithë qytetarët e Republikës. Gjithashtu, Znj. Shehu, mes tjerash theksoi se ky memorandum do të jetë garantues i sigurisë juridike për palët në transaksion por edhe vetë noterin, ku përmes qasjes në të dhënat nga Regjistri Civil dhe Regjistri i Automjeteve, noterët tani do ta kenë mundësinë që të pajisen me informacione nga Baza e Ndërmjetme e Agjencisë dhe Regjistri i Automjeteve.

Memorandumi u nënshkrua në lokalet e Ministrisë së Punëve të Brendshme nga Z. Bekim Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm i ARC-së dhe Znj. Arbena Shehu.