ONK merr pjesë në Konferencën “Roli i Grave në Zhvillimin Ekonomik të Kosovës: Tejkalimi i Barrierave”

Prishtinë, 26.04.2017 – Kryetarja e Odës së Noterëve, Znj. Arbena Shehu ishte pjesë e panelit në Konferencën e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, me temë “Roli i Grave në Zhvillimin Ekonomik të Kosovës: Tejkalimi i Barrierave”.

Konferenca një ditore mblodhi gratë të suksesshme sipërmarrëse dhe të sektorëve tjerë me qëllim të diskutimit të barrierave ligjore në realizimin e potencialit të grave në procesin e zhvillimit ekonomik, rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre në projektet e zhvillimit ekonomik të vendit, me ç’rast morën mbështetjen e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Z. Kadri Veseli dhe Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Z. Blerand Stavileci.

Në fjalën e saj Znj. Shehu, vlerësoi se përkundër faktit se vendi ka një legjislacion të mirë sa i përket trajtimit të barabartë të dy gjinive, në aspektin e trashëgimisë ende duhet të punohet në vetëdijesimin e qytetarëve për të drejtën e gruas në pronë. Ajo shtoi se duhet të ndërrohet qasja dhe të fuqizohet edhe më tej gruaja në shoqëri, përfshirë ekonominë e saj.

Ministri Stavileci tha se kjo konferencë do të mundësojë përfshirjen e ideve që kanë gratë në politikat e institucioneve dhe të ndryshohet qasja në dobi të fuqizimit të gruas. Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Z. Kadri Veseli, ka thënë se gjithëpërfshirja e grave në shoqëri dhe institucione është kusht i domosdoshëm që të mund të kemi një shtet funksional demokratik, ekonomi të zhvilluar dhe mirëqenie sociale për qytetarët tanë. Ai theksoi se transformimi ekonomik i vendit nuk mund të arrihet asnjëherë pa rolin aktiv të grave në të gjitha fushat e jetës, ngase suksesi i grave në shoqëri është garancia më e mirë se shoqëria dhe shteti janë duke ecur në drejtimin e duhur.

Ndryshe, “Roli i Grave në Zhvillimin Ekonomik të Kosovës: Tejkalimi i Barrierave” është zhvilluar në katër panele të ndara ku janë trajtuar tematika mbi mundësitë e fuqizimit të grave në biznes dhe roli i tyre në zhvillimin ekonomik.