ONK merr pjesë në seancën plenare të Komisionit Evropian për Noteri – CAE

Prishtinë, 25.11.2017 – Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës si përfaqësuese e përhershme në Komisionin Evropian të Noterisë, po merr pjesë në seancën plenare të organizuar në Budapest të Hungarisë, për datat 24-25.11.2017.

Kjo seancë ishte paraparë të mbahej në Barcelonë të Spanjës, mirëpo për shkaqe politike në këtë vend, në momentet e fundit UINL vendosi që ta zhvendosë në Budapest të Hungarisë. Këtij takimi i janë përgjegjur 28 shtete anëtare të këtij Komisioni. Oda e Noterëve në këtë seancë u përfaqësua nga Z. Fatmir Halimi, anëtar i këtij Komisioni, i shoqëruar edhe nga Udhëheqësi i Administratës Z.Erdon Gjinolli. Në fjalën e tij Z. Halimi para këtij Komisioni raportoi për zhvillimet të cilat janë bërë në sistemin noterial që nga takimi i kaluar i mbajtur poashtu në Budapest, në Mars të këtij viti. Z. Halimi i njoftoi të pranishmit për organizimin e Odës së Noterëve për nderë të 5 vjetorit të themelimit të sajë dhe zgjedhjen e Ministrit të ri të Drejtësisë në Republikën e Kosovës. Poashtu, u raportua për fazën në të cilen gjendet Projektligji për Noterinë, Komentet e Odës së Noterëve drejtuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për këtë projektligj si dhe dy projektligjet tjera, ai për Trashëgiminë dhe Procedurën Jokontestimore, të cilat gjendën në Kuvendin e Kosovës për aprovim.

Z. Halimi me këtë rast falenderoi Presidentin e UINL-së, Z. De Llano dhe Z. Collantes, President i CNUE-së, për mbështetjen e treguar, me qëllim që të kemi një ligj plotësisht të zbatueshëm në Kosovë, si dhe një falenderim të veçantë Odës Federale të Noterëve të Gjermanisë për ftesën të cilën i bëri delegacionit të Kosovës, ku me datë 20-21 Nëntor 2017, me ftesë të Z. Bock, Nënkryetar i kësaj Ode, në Berlin të Gjermanisë u organizua takimi Kosovaro-Gjerman rreth Projektligjit të Noterisë. Përfundimisht Z.Halimi i njoftoi të pranishmit se shumë shpejt zyrat noteriale do të kenë qasjen në Regjistrin Civil. Në ditën e dytë të kësaj seance u raportuan punimet e grupeve punuese për: regjistrat elektronik dhe të drejtat pronësore. Vlenë të theksohet se kandidaturat për organizimin e seancës së radhës së CAE-se i kanë paraqitur, Londra, Kosova, Spanja dhe Austria. Mbetet që në ditet në vijim të vendoset për nikoqirin e ardhshëm të CAE-së.

Pjesa përfundimtare iu kushtua akademisë se Noterisë, ku perveç shteteve anëtare në këtë organizim morrën pjesë edhe shumë noter nga Hungaria, ku temë diskutimi ishin pyetësorët e dërguar nga vendet anëtare, përfshirë edhe pyetësorin e dërguar nga Oda e Noterëve të Kosovës rreth parandalimit të shpërlarjes së parave dhe luftën kundër terrorizmit. Seanca plenare përfundoi në ora 15:00.