ONK merr pjesë në takimin e Këshillit të Përgjithshëm të UINL-së

Prishtinë 16.05.2017. Oda e Noterëve të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Znj. Arbena Shehu, Kryetare e ONK-së dhe Znj. Vizhdane Kuçi, anëtare e Komisionit të ONK-së, për herë të parë ka marrë pjesë në takimin e Këshillit të Përgjithshëm të UINL-së, si anëtare e këtij Këshilli, i cili u mbajt në Tbilisi të Gjeorgjisë, me datë 12-15 Maj 2017.

Takimi i Këshillit ishte i paraparë të mbahet në tri pjesë të ndara ku në pjesën e parë përveç pjesës hyrëse, ishte dhe prezantimi i vendimeve të Komitetit Drejtues dhe Raporti i Presidentit. Në pjesën e dytë u diskutua tema: “Blockchain dhe roli i noterit”, ndërsa në pjesën e tretë ishin: Prezantimi dhe diskutimi mbi pikat thelbësore të programeve të punës të Nënkryetarëve, Komisioneve Kontinentale dhe Ndërkontinentale; Grupeve Punuese; Zëvendës-presidentëve dhe komisioneve kontinentale; Financat e UINL-së; Prezantimi i uebfaqes së re të UINL-së; Takimet dhe ngjarjet noteriale me interes për Unionin dhe Noteritë anëtare, vendosja e vendit dhe datat e takimeve të ardhshme të trupave UINL-së, etj.

Oda e Noterëve si anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të UINL-së u pranua në Tetor të vitit 2016, në Kongresin e mbajtur në Paris të Francës.