Përmbyllet projekti i I-H-N-së në Kosovë

Prishtinë 01 Korrik 2017 – Oda e Noterëve të Kosovës në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar të Noterisë (I-H-N), organizuan trajnimin e radhës me temë: “Sjellja ndaj mediave” ligjëruar nga Z. Roland Niklaus dhe “Histori të shkurtra anekdotike të programit të I-H-N-së dhe këshilla e fundit nga ky projekt për të vazhduar me sukses”, ligjëruar nga Z. Michel Merlotti dhe Z. Roland Niklaus.

Pjesa e dytë e këtij organizimi iu kushtua përmbylljes së këtij projekti në Kosovë, pas 9 viteve të mbështetjes së suksesshme për themelimin e shërbimit noterial në Kosovë. Projekti i filluar në vitin 2008 dhe i zbatuar nga një ekip profesional fillimisht mbështeti Ministrinë e Drejtësisë në kompletimin e infrastrukturës Ligjore, më pas vazhduan me trajnimin e kandidatëve për noter, përkrahjen e provimeve dhe licencimin e noterëve të parë të Kosovës, poashtu mbikëqyrën punën e zyrave noteriale, ndihmuan në krijimin e Odës së Noterëve dhe në fund dhanë një kontribut të madh në anëtarësimin e kësaj Ode në Unionin Ndërkombëtar të Noterisë. Në këtë takim përmbyllës përveç Z. Niklaus, Z. Merlotti dhe Z. Preteni, të ftuar ishin edhe Ambasadori i Zvicrës në Kosovë Z. Jean- Hubert Lebet; Kryesuesi i Zyrës Zvicrrane për Bashkëpunim në Kosovë Z. Patric Etienne, Znj. Saranda Cana- Pruthi, Prof. Dr. Abdulla Aliu, si dhe zyrtar nga Departamenti për Profesione të Lira në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Kryetarja e Odës së Noterëve Znj. Arbena Shehu, Nënkryetari Z. Aliriza Beshi, anëtarja e Komisionit të Odës Znj. Vizhdane Kuçi dhe Prof. Dr. Abdulla Aliu, në fjalimet e tyre të rastit falënderuan Ambasadën Zvicerane, Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë dhe Institutin Ndërkombëtarë të Noterisë, për punën, angazhimin dhe kontributin e dhënë për krijimin dhe zhvillimin e sistemit noterial në Kosovë.

Në pjesën e fundit të këtij organizimi, zyrtar nga Administrata Tatimore e Kosovës organizuan trajnimin me temë “Ligji Nr. 02/L-123 Për Shoqëritë Tregtare dhe Ligji Nr. 05/L -037 Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, ku këshilltarët e kësaj Administrate, Znj. Ardita Haxhinikaj-Demi, Z. Fatos Bunjaku dhe Z. Isuf Zeqiraj u përgjigjën në pyetjet e shumta të parashtruara nga noterët e pranishëm rreth legjislacionit në fuqi, e sidomos rreth zbatimin të TVSH-së.