Presidenti i Unionit Ndërkombëtar të Noterisë viziton Odën e Noterëve të Kosovës

Prishtinë 26.05.2017 – Me ftesë të Odës së Noterëve, për nderë të 5 vjetorit të themelimit të sistemit të Noterisë, për një vizitë dy ditore po qëndron në Kosovë Presidenti i Unionit Ndërkombëtar të Noterisë (UINL), Z. Jose Marqueño de Llano dhe zv. Presidenti i CCNI, Z. Alvaro Lucini, të cilët së bashku me Znj. Arbena Shehu, Kryetare e ONK-së dhe Z. Fatmir Halimi, anëtar i Komisionit të ONK-së, u priten në takim nga Ministrja e Drejtësisë, Znj. Dhurata Hoxha.

Gjatë këtij takimi Ministrja Hoxha, tha se është shumë e përkushtuar që sistemi i drejtësisë të jetë në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare, “Fokusi ynë është të përmirësojmë shërbimet ndaj qytetarëve, të jenë sa më të mira, më të shpejta dhe efikase për të gjithë qytetarët. Po ashtu tha se noteria në Kosovë është në rrugën e duhur dhe sistemi juridik është më efikas me punën e noterisë. Z. De Llano, President i UINL-së, theksoi se është i lumtur për punën e mrekullueshme të noterisë në Kosovë duke theksuar se noteria i sjellë vendit siguri juridike, pa të cilën nuk mund të ketë besim edhe për investime, kredi e përparim social.

Presidenti De Llano dhe zv.Presidenti Lucini do të vizitojnë selinë e Odës së Noterëve të Kosovës dhe poashtu do të kryejnë vizita edhe në dy zyra noteriale, në Prishtinë tek Notere Vizhdane Kuçi dhe në Novobërdë tek Notere Ljiljana Keniç.

Gjithashtu, Z. De Llano do të marr pjesë në konferencën e organizuar nga ONK me temë “5 vite të sistemit noterial në Kosovë, sfidat, arritjet dhe objektivat e ONK-së”, ku të pranishmëve do t`iu drejtohet me një fjalim. Ftesës së ONK-së përveç Presidentit De Llano dhe zv.Presidentit Lucini, pozitivisht i`u kanë përgjigjur shumë zyrtarë të lartë shtetëror dhe përfaqësues të Odave të rajonit dhe atyre Evropiane.