REAGIM NGA ODA E NOTERËVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Oda e Noterëve të Kosovës shpreh shqetësimet e saja rreth reagimeve të fundit të publikuara në media lidhur me procesin e emërimit të noterëve të rinj. Vlen të theksohet se ONK edhe më parë, përfshirë periudhën kur Ministria filloi procesin e ndryshim/plotësimit të Ligjit për Noterinë, kishte reaguar dhe paralajmëruar si Ministrinë e Drejtësisë ashtu edhe institucionet tjera kompetente për draftimin e legjislacionit, për rrezikun dhe pasojat në rast të mos përfilljes së rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë ato të UINL-së dhe CNUES, e posaçërisht mbi vërejtjet e dërguara nga Oda e Noterëve të Federatës Gjermane, për kriteret e përzgjedhjes së noterëve të rinj në Kosovë, me theks të veçantë në kthimin e numrit prej 20.000 banorë për një noter, dhe afatin e trajnimeve paraprake.

Na duhet theksuar se Oda e Noterëve ka kohë që kërkon nga Ministria e Drejtësisë mbulimin e të gjitha komunave në Kosovë me zyra noteriale. Edhe pas më shumë se 6 viteve ekzistencë të këtij shërbimi kemi komuna pa noter por edhe ato me vetëm 1 noter, e për të cilat komuna urgjentisht kemi kërkuar nga MD që qytetarëve të këtyre komunave tu ofrohet mundësi dhe kushte për tu pajisur me shërbime noteriale, mirëpo krejt kjo në bazë të një analize paraprake për secilën komunë dhe në pajtim me kërkesat e tregut për noter të rinj.

Procesi dhe konkursi për emërimin e noterëve të rinj nëpër komuna, bazuar në procedurat dhe kriteret e dhëna në ligjin tani më të miratuar, nuk ishin në tërësi bazuar në po këtë ligj të ri. Ndaj, Oda e Noterëve menjëherë ka parashtruar shqetësimet dhe kundërshtimin e saj në konkursin e shpallur e posaçërisht rreth numrit të paraparë të noterëve nëpër komuna, pasi ato ishin tërësisht në kundërshtim me vet kriteret edhe të këtij ligji. 

Oda e Noterëve të Kosovës mbështetë reagimet e zyrës së BE-së në Kosovë, atë të Ambasadës Gjermane, e cila ka dërguar mesazhin e prerë të Odës së Noterëve të Federatës Gjermane, rreth procesit të emërimit të noterëve të rinj, e të cilat shqetësime Oda i ka bërë të ditura edhe më parë, kur edhe ishte ne procedurë aprovimi i një ligji të këtillë, duke i paralajmëruar rreziqet që mund t’i kanosen sistemit të Noterisë.

Andaj, si Odë e Noterëve konsiderojmë se vërejtjet e zyrës së BE-së në Kosovë, dhe të Ambasadës Gjermane, në të cilat vërejtje vihen në pah kriteret e gabuara të vëna në ligjin tonë, e që i përkrah edhe Oda e Noterëve, me kërkesë që këto vërejtje duhet të shërbejnë edhe qeverisë së ardhshme si shkas për fillimin e ndryshimit të ligjit për Noterinë, e posaçërisht në procedurë dhe kriteret për përzgjedhjen dhe emërimin noterëve. 

Prishtinë, më 16.10.2019.

Këshilli Drejtues i Odës së Noterëve.