Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, pret delegacionin e Odës së Noterëve të Kosovës.

Prishtinë, 17 tetor 2013 – Delegacioni i Odës së Noterëve të Kosovës në përbërje të, Znj. Arbena Shehu, Kryetare e Odës së Noterëve, Prof. Dr. Abdulla Aliu, Kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e Noterëve, si dhe Znj. Vizhdane Kuçi, Notere, është pritur nga  Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, me rastin e pranimit të Odës së Noterëve të Republikës së Kosovës, anëtare me të drejta të plota në Unionit Ndërkombëtar të Noterisë.

 Ministri Kuçi tha se është lajm i mirë që tani Oda e Noterëve të Kosovës është anëtarësuar në Unionin Ndërkombëtar të Noterisë, duke shtuar që është i impresionuar me punën e noterisë që është bërë në Kosovë.

 “Mendoj se për një kohë të shkurtër kemi arritur që jo vetëm ta funksionalizojmë sistemin e noterisë por edhe ta anëtarësojmë në organizata më të larta botërore. Kjo është një motiv shtesë për ta arritur kualitetin në noterinë e Kosovës dhe besoj që e kemi noterinë më të mirë në rajon, por ne kërkojmë që të bëjmë edhe më shumë dhe ta bëjmë të krahasueshëm me noterët anë e kënd botës. Duhet të nxitemi për punë, të punojmë edhe me shumë dhe të nxisim kualitetin në veçanti me noterët e rinj”, tha Kuçi.

 Kryetarja e Odës së Noterëve, znj. Arbena Shehu  foli për të mirat që do të sjellë anëtarësimi i Odës së Noterëve të Kosovës në Unionin Ndërkombëtar të Noterisë. “Të mirat që do t’i gëzojmë nga ky anëtarësim është se noteria e Kosovës do të ketë qasje në të gjitha odat ndërkombëtare të noterisë, do të bëhet shkëmbimi i përvojave dhe zhvillimi i noterisë me standarde ndërkombëtare, e drejta për pjesëmarrje në trajnime dhe programe të ndryshme të cilat do të organizohen nga Unioni Ndërkombëtar i Noterisë etj.”, tha Kryetarja Shehu.

Kuçi tha së është fakt që lëndët kontestimore janë zvogëluar dukshëm nëpër gjykata dhe me këtë rast është rritur numri i punës tek noterët, por edhe pritjet e qytetarëve, ndërsa përgëzoi noterët për punën e bërë.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Noterëve, Prof. Dr. Abdulla Aliu, tha se rezultati i pranimit të Odës së Noterëve në Unionit Ndërkombëtar të Noterisë duhet të na gëzojë ngase është një shkallë e ndërtimit të shtetit tonë edhe në sistemin e noterisë. Ai tha se antarësimi është si rezultat i aktivitetit të Ministrisë së Drejtësisë në krye me Ministrin Kuçi.

Në fund të takimit, Ministrit Kuçi iu dorëzua flamuri dhe simboli i Unionit Ndërkombëtar të Noterisë, si dëshmi për anëtarësimin e Odës së Noterëve të Kosovës në këtë union.